Italian - ItalyAlbanian-ALEnglish (United Kingdom)
Kruja pdf Shtyp Email
E shtunë, 14 Prill 2012 12:51
Kruja është një qytet mesjetar dhe përmendet për herë të parë si një qendër episkopale në vitin 879. Vite më vonë turqit osmanë e pushtuan dy herë, në 1396 dhe 1415. Pas daljes në skenën e historisë së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit dhe të rikthimit të tij nga Turqia më 1443, Kruja u shndërrua në simbol të rezistencës popullore kundër rrezikut nga perandoria osmane. Ishte kjo kohë kur qyteti i Krujës u bë i njohur në të gjithë Evropën. Qyteti ndodhet në një lartësi prej 560 metrash mbi nivelin e detit, mbi një shpat mali, prej të cilit vizitorët kanë mundësinë të shikojnë një pamje mjaft të bukur drejt perëndimit në detin Adriatik. Kalaja e Krujës u ndërtua gjatë shekujve të 5-të dhe 6-të dhe ka formë eliptike, me sipërfaqe prej 2.25 hektarësh. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla, të cilat shërbenin për vëzhgim dhe sinjalizim gjatë periudhave të luftërave. Brenda mureve të kalasë gjenden ende disa shtëpi të banuara. Aty ndodhet muzeu etnografik “Gjergj Kastrioti” që i dedikohet luftërave të tij 25-vjeçare, me qëllim mbrojtjen e Shqipërisë nga pushtimi osman dhe të dyja këto elemente e kanë bërë Krujën një ndër qytetet më të vizituara në vend. Në muze ndodhen mjaft dokumente dhe elementë arkitektonikë, që i japin atij një atmosferë të veçantë, edhe pse mungon përkrenarja origjinale e heroit tonë kombëtar, e cila gjendet në muzeun e Vjenës. Në fillim të shekullit të shkuar Kruja gjallonte, e veç kësaj, në vitet e socializmit u mor në dorë të shtetit duke kryer ndërhyrje serioze për sistemimin e qytetit.

 

 


1982 viti
Në vitin 1982, pas një pune disavjeçare u inaugurua muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe u shpallën monumente kulture 7 shtëpi karakteristike krutane, të cilat u morën nën mbrojtjen e shtetit 

1617 viti

Kështjella e Krujës u shkatërrua si pasojë e tërmetit të rënë në vitin 1617, duke u pasuar nga shkatërrimet e bëra prej osmanëve më 1832. Me gjithë rikonstruksionin e bërë në shekullin XIX, kështjella s’mundi të mbijetojë 

Pazari

 

Sipas dokumenteve, ky pazar është ndërtuar rreth 400 vjet më parë dhe në të kishte 150 dyqane, që nisnin nga hyrja e kalasë së sotme e deri te Hani i Picorrit, aty ku është vendosur Bashkia e sotme e qytetit të Krujës. Në shekullin XVII, qyteti mori një zhvillim ekonomik dhe rrjedhimisht dhe zejet e vendosura në pazar. Në vitin 1959 ngrihet në Krujë monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar, i cili i dha namin e mirë qytetit. Pak vite më vonë, më 1968, Kruja merr nga shteti i asaj kohe emërtimin qytet-hero. Pazari i Krujës u mor nën kujdesin e qeverisë në vitin 1961, kurse më 1966 u krye ndërhyrja e parë serioze për rikonstruksionin e tij.

comments
Përditësuar së fundmi më E shtunë, 12 Maj 2012 11:13