Italian - ItalyAlbanian-ALEnglish (United Kingdom)
Rozafat pdf Shtyp Email
E diel, 13 Maj 2012 09:31



Kalaja e Shkodrës është e ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese të cilat zenë një sipërfaqe rreth 9 ha. Në periudhën e lashtë muret ishin të stilit poligonal, gjurmë të të cilave ruhen edhe sot. Si qendër e fortifikuar ilire përmendet për herë të parë gjatë sundimit të mbretit Gent dhe historiani Tit Livi e quan "vendi më i fortë i labeatëve". Kështjella del me emrin Rozafa në periudhën e mesjetës, gjatë së cilës u pushtua herë nga sllavët dhe herë nga bizantinët. Brenda mureve të saj ruhen një sërë mjedisesh si garnizone, depo, një ndërtesë administrative etj.

Legjenda

N'at' kohë tânë bregu i k'tejshëm i Adriatikut, deri në Tergestën e bujshme në Triesten e dit've t'ona, ishte breg ilir. Mâ vonë, u derdhen k'ndej romak't, tevona sllav't, norman't, venetik't, turq't e shumë popuj tjerë të huej. Gìatë shekujvet ata krepat e thata nên muret e Rozafatit, si edhe vet' muret e k'shtjellês, janë lagë me përrej gjaku t'atyne qi e kanë sulmue dhe t'atyne që e kanë mbrôjt'. Të huejt erdhën e shkuen, kurse populli ynë mbeti i ngulun në këtë tokë ilire. Ndêrtimi i k'shtjellës së Rozafatit ka nji gojëdhânë t'bukur e t'hidhun. Qé se ç'thotë kjo gojëdhânë.

"... I rá mjegulla Bun's dhe e mbuloi té tânë. Trî dit' e trî net' kjo mjegull mbêti atý. Mbâs trî dit'sh e trî net'sh nji erë e hollë fryu e e naltoi mjegullên. E naltoi dhe e shpuni deri n'kodrên e Valdanuzit. Aty maje kodrês tre vllazën punojshin. Ndêrtoshin nji k'shtjellë. Po, murin qi naltojshin ditên ìu prishej natên, e k'sisoj nuk muejshin m'e naltue.

Na kalon aty nji plak i urtë.

- Puna'mbârë, o tré vllazën.

- T'mbârë paç, o plak' i mirë. Po ku e shéh ti t'mbârên t'onë? Ditên punojmë, natën ná shêmbêt. A dín me ná diftue ndôj fjalë t'mirë: shka t'bâjmë qi t'i mbâjmë muret n'kâmbë? - Unë di,- u thot' plaku,- po druej me ìua thânë se â' m'kat.

- At' m'kat hidhe mbi kryetin t'onë, se na duem ta qindrojmë më kâmbë nji'kyt k'shtjellë. Plaku i mirë mendôhet e pvet:

- A jeni të martuem, trima? A i keni ju te tri varzat e jueja?

- T'martuem jena,- i thonë ata,- Edhe te tré i kena varzat t'ona. Ná thuej pra shka t'bâjmë qi tá qindrojmë kyt k'shtjellë?

- Ne daçi m'e qëndrue, lidhuni me besa-besë: varzave mos u diftoni, n'shpi mos kuvendôni për fjalët qi do t'ju thôm un'. Ate pri të trî kunatave qi do t'vijnë nesër bukë me ìu prue, ta merrni e ta muroni t'gjallë n'mur t'k'shtjellës. At'here keni me pé se muri ka me nxânë vênd e me qindrue për jetë e mot.

Tha k'shtu plaku e shkoi: njitash u pá, njitash s'ú pá. Medet! V'llai i madh e shkeli besên e fjalên. Kuvendôi n'shpi, i tregoi vashs s'vet k'shtu e k'shtu, i thá t'mos víte atje ne nade ne nesre. Edhe i mesmi e shkeli besên e fjalên: ìa tregoi te tana vashs s'vet. Vetêm i vogli e mbâjti besën e fjalën: nuk kuvendoi n'shpi, nuk i tregoi vashs s'vet. Ne nade. Te tré ngrehen shpejt e shkojnë n'punë. Çekan't shkapeten, gur't coptohen, zemnat rrahin, muret n0altohen. N'shpi, nana e djemvet s'din gja. I thôtë të madhes:

- Moj nuse e madhe, mjeshtrit duen buk' e ujë; duen kúngûllin me vênë. Nusja e madhe ìa kthen:

- Besá, nanë, sod s'mûnd t'shkoj se jam e sëmunë.

Kthehet i thotë t'mesmes:

- Moj nuse e mesme, mjeshtrit duen buk' e ujë; duen kúngûllin me vênë.

- Besá, nanë, sod s'mûnd të shkoj, se kam me shkue te fisi me bujtë.

Nana e djemvet i kthehet nuses s'vogël:

- Moj nuse e vogël... Nusja e vogël brof n'kâmbë:

- Urdhno, nanë!

- Mjeshtrit duen buk' e ujë; duen kungûllin me vênë.

- Besá, nanë, vet' po shkoj, po e kam djalin e vogêl. Druej se don gjí me pí, e kjan.

- Nísu, shkó, se djalin ta shikjojmë ná, s'ta lajmë me kja,- i thônë t'kunatat.

Ngrehet e vogla, e mira, merr buk' e ujë, merr kungûllin me vênë, e puth djalin n'tê dy faqet, niset e bjen n'Kazenë; njaty ngjit kodrên e Valdanuzit, i avitet vêndit tek punojnë të tré mjeshtrit: dý të kunetnit e i shoqi.

- Puna'mbârë, o mjeshtra!

Po ç'âsht njikështu? Çekan't ndâlen e s'shkapeten, po zemnat rrahin fort e fort. F'tyrat zbehen. Kur e sheh i vogli t'shoqen, hedh çekanin prej dore, mallkon gurin e murin. E shoqja i thotë:

- Ç'ke ti, o im zot? Pse mallkon gurin e murin? Hedhet kunati i madh:

- Ti keke lînd' n'e zezë ditë, moj kunata jonë. Na e kena bâ me fjalë me të murue t'gjallë n'mur t'k'shtjells.

- Shndosh ju, o kunetën. Po un' do t'ìu la nji porosi: kur te po m'muroni n'mur, sýnin e djatht' t'ma leni jasht', dorên e djatht' t'ma leni jasht', kâmbên e djatht' t'ma leni jasht', gjinin e djatht' t'ma leni jashtë. Se djalin e kam t'vogêl. Kur t'nisë t'kjajë - me njânin sý do ta shikjoj, me njânên dorë ta ledhatoj, me njanën kâmbë t'i tûnd djepin e me njânin gjí t'í nap me pí. Gjini m'u nguroft', k'shtjella qêndroftë, djali em u trimnoftë, u bâftë mbret e mbretnoft'! Ata e marrin nusen e vogêl e e murojnë n'themel t'k'shtjellës. Dhe muret ngrehen, naltohen, nuk shêmbên ma si ma parë. Po rranxë tyne gur't janë edhe sod t'lagun e t'myshkun, sepse vazhdojnë me pikue lot't e nans për birin e saj... E biri? Biri u rrit, luftoi e trimnoi.


comments
Përditësuar së fundmi më E enjte, 17 Maj 2012 07:54